KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Irani liron 10 marinarët amerikanë

Irani liron 10 marinarët amerikanë

Televizioni shtetëror iranian raportoi se Garda Revolucionare e Iranit i liroi 10 marinarët amerikanë, të cilet u arrestuan pasi hynë në ujërat iraniane. “Pas kërkimit të faljes nga ana e tyre, marinarët janë liruar në ujërat ndërkombëtare të Gjirit”, lajmëroi Garda. Po sipas saj, marinarët – nëntë burra dhe një grua – u liruan sepse u konstatua se hyrja e tyre nuk ka qenë e qëllimshme. Komandanti i forcës detare të Gardës, admirali Ali Fadavi, tha “Hyrja e marinarëve amerikanë në ujërat territoriale të Iranit ndodhi nga probleme teknike në sistemin e tyre të lundirmit”. Zyrtarët amerikanë thanë se marinarët dhe dy anijet e tyre u ndaluan nga garda iraniane më 12 janar. Por zëvëndës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Amerika nuk i ka kërkuar falje Iranit për hyrjen e marinarëve amerikanë në ujërat territoriale të tij. “Nuk ka përse të kërkohet falje. Kur keni probleme me anijen, kërkoni falje që anija ka probleme? Jo, dhe nuk ka pasur kërkesa të tilla. Ka qenë vetëm një praktikë standarde detare”, tha zoti Biden.