KRYEFAQJA » LAJME » Isa Mustafa merr pjesë në samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Londër

Isa Mustafa merr pjesë në samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Londër

Kryeministri Mustafa u shpreh se samiti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, ku po merrte pjesë, ofron një mundësi të veçantë të koordinimit të aktiviteteve për zhvillim ekonomik. Si pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosova tashmë është angazhuar në projekte të ndryshme rajonale të cilat janë qenësore për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për krijimin e lehtësirave për biznese vendore, në mënyrë që ato të kenë qasje në tregjet rajonale dhe në tregjet e tjera më të gjera. Po ashtu, përmes këtyre projekteve dhe proceseve po përmirësojmë qasjen edhe të investitorëve të huaj në vendin tonë. Në mënyrë që të arrihet kjo, Kosova është angazhuar në dimensione të ndryshme të bashkëpunimit rajonal”, tha kryeministri.
Mustafa gjithashtu nenvizoi pajtimin që është arritur me qeveritë e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, për axhenden e interkonektivitetit. Kryeministri kosovar gjithashtu nënvizoi rëndësinë e axhendës së Berlinit për ndërtimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë, që mundëson rritje ekonomike, vende të reja të punës, tërheqje të investimeve të huaja dhe progres të përbashkët në zhvillimin ekonomik.
“Kosova ka një popullatë të re, multikulturore dhe multietnike, dhe shumë dinamike. Jemi duke bashkëpunuar edhe në krijimin e shkathtësive të nevojshme për qytetarët tanë, në mënyrë që ata të jenë konkurrues në vendet e rajonit dhe në vendet evropiane”, tha kryeministri Mustafa,
Persa i përket bashkëpunimit me BERZH-in, Mustafa tha se do të punohet në investimet në bujqësi, si dhe në projekte që ndërlidhen me investime infrastrukturore.