KRYEFAQJA » LAJME » Ish-konsulli shqiptar në Selanik, Riza Poda, nderohet me mirënjohje nga kjo bashki
Ish-konsulli shqiptar në Selanik, Riza Poda, nderohet me mirënjohje nga kjo bashki

Ish-konsulli shqiptar në Selanik, Riza Poda, nderohet me mirënjohje nga kjo bashki

Katër vitet në shërbim të diplomacisë shqiptare në Selanik nga Riza Poda si konsull, duket se kanë lënë gjurmë në qytetin helen. Poda, tashmë ambasador në Çeki, është nderuar nga kryebashkiaku i Selanikut Janis Boutaris me një çmim të veçantë për kontributin e madh në përforcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Morëm një vendim dhe i japim këtë çmim mirënjohjeje zotit Riza Poda i cili ishte konsull i përgjithshëm për katër vjet në Selanik. Ai ka kontribuar shumë që të kultivohen marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ndihmoi jashtë mase në binjakëzimin me Durrësin, në udhëtimet e shumta që kemi bërë në Shqipëri, duke hapur rrugën që këto marrëdhënie të jenë çdo ditë edhe më të mira”, u shpreh kryebashkiaku i Selanikut Janis Boutaris.

Nderimin me këtë çmim, ish konsulli e përcolli me falenderime dhe mirënjohje. “Është një nder i madh për mua që dëgjoj këto fjalë të ngrohta nga kryebashkiaku i Selanikut dhe e falenderoj atë jashtë mase për këtë vlerësim në adresën time dhe dua të theksoj se ashtu siç përmendi edhe ai në fjalën e tij, kam pasur shumë vite të bukura këtu në Selanik, në këtë qytet të mrekullueshëm. Dhe shpresoj se kemi bërë punë të mirë së bashku, ju edhe unë, konsullata dhe bashkia, për të mirën e dy vendeve”.

Që nga korriku i vitit 2014, Riza Poda, mban postin e ambasadorit fuqiplotë të Shqipërisë në Republikën Çeke.