KRYEFAQJA » LAJME » Gjenerali Ozturk pranon organizimin e pucit në Turqi
Ish-kreu i forcave ajrore turke, Akin Ozturk, ka pranuar që ka organizuar grushtin e shtetit

Gjenerali Ozturk pranon organizimin e pucit në Turqi

Ish kreu i forcave ajrore turke, gjenerali Alkin Ozturk, pranoi para hetuesve organizimin e grushtit të shtetit. Sipas agjensisë shtetërore të lajmeve Anadolu Axhensi, gjenerali Ozturk është shprehur se ai ka vepruar me qëllim që të vinte në zbatim grushtin e shtetit. Më herët, gjenerali ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke insistuar se kishte punuar për ta ndalur atë. Në disa fotografi të publikuara nga e njëjta agjensi, gjenerali Ozturk shfaqet me dëmtime në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit. Më shumë se 8 mijë oficerë policie janë pezulluar në bazë të dyshimeve për lidhje me tentativën për grusht shteti në Turqi. Rreth 6 mijë anëtarë të gjyqësorit dhe ushtrisë, janë ndaluar. Presidenti turk Erdogan u shpreh të dielën se Turqia do të rikonsideronte rikthimin e dënimit me vdekje në vend, një lëvizje kjo që hasi në kundërshtinë e SHBA-së dhe krerëve europiane. Zëdhënësi i kancelares Merkel u shpreh se nëse Turqia rikthen dënimin me vdekje kjo do të thotë fundin e negociatave të anëtarësimit në BE. 60 policë, tre ushtarakë, 145 civile dhe 24 komplotiste humbën jetën si dhe rreth 1490 persona të tjerë u plagosën gjatë ngjarjes. Më shumë se 100 gjeneralë dhe admiralë janë ndaluar pas operacioneve të ndërmarra në të gjithë vendin. Gjithashtu kanë ndaluar rreth 2745 prokurorë dhe gjyqtarë. 8777 zyrtarë të ministrisë së brendshme janë pezulluar ndërsa janë arrestuar 2389 ushtarë për përfshirje në grushtin e shtetit. Autoritetet turke kanë akuzuar për organizimin e pucit, klerikun Fetullah Gylen, i cili jeton në azil në SHBA. Gylen e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e tij, ndërsa është shprehur se puci është organizuar nga vetë Presidenti Erdogan.