KRYEFAQJA » LAJME » Ish krye-inspektori urbanistik të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha rrezikon 6 vjet heqje lirie
Ish krye-inspektori urbanistik të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha rrezikon 6 vjet heqje lirie

Ish krye-inspektori urbanistik të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha rrezikon 6 vjet heqje lirie

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 6 vite heqje lirie për ish krye-inspektorin vendor urbanistik të Bashkisë së Tiranës Florenc Hoxha i akuzuar për shpërdorim të detyrës. Në pretencën e përpiluar për dosjen e Hoxhës dhe 16 inspektorëve të tjerë, një kopje të së cilës e disponon edhe Televizioni Shqiptar, organi i akuzës kërkon në total 34 vite burg. Të pandehurit kanë pranuar gjykimin e shkurtuar dhe në rast dënimi nga gjykata përfitojnë uljen e dënimit me një të tretën.
Prokuroria e Tiranës ka provuar se Hoxha ka shpërdoruar detyrën në 531 raste. Ndërsa 16-vartësit e tij gjithësej 622 here. Përveç dënimit me burg për Hoxhën prokuroria ka kërkuar edhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyra publike për tre vjet, ndërsa për vartësit e tij 1 vit.
Sipas hetuesve këta persona kanë lejuar ndërtimet e paligjshme në të gjitha zonat e kryeqytetit duke patur dijeni. Në dosjen që ka administruar gjykata, bëhet e ditur se këta persona gjatë ushtrimit të detyrës nuk kanë vepruar për të ndaluar ndërtimet në kundërshtim me ligjin, duke i sjellë ne këtë mënyrë mjedisit dhe buxhetit të shtetit dëme të konsiderueshme.
Hetimi përfshin kohën nga korriku deri në dhjetor të vitit 2013. Kallzimi është bërë nga IKMT dhe më pas ka qenë njësia task-forcë e prokurorisë së Tiranës qe ka ndjekur hetimet mbi shkeljet. Në bazë të tyre, Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës rezulton se ka vendosur qindra urdhëra për pezullim ndërtimesh. Por pas përfundimit të afatit të pezullimit nuk është marrë asnjë vendim tjetër, duke lejuar në këtë mënyrë ndërtuesin të vazhdojë punimet , pasi nuk e pengonte asnjë ligj apo urdhër.
Një tjetër shkleje sipas hetimit është se inspektorët në të gjitha rastet që kanë konfirmuar një ndërtim të paligjshme nuk kanë vënë në dijeni subjektet. Të gjitha procesverbalet liheshin në objekt, por pa u firmosur nga pronari. Në të gjitha rastet është faktuar se të gjitha ndërtimet janë përfunduar pavarësisht se ndaj tyre ka patur vendime per pezullim apo gjoba në vlerë monetare.