KRYEFAQJA » LAJME » Ish kryeministri Majko: Të shkojmë në referendum dhe zgjedhje të parakohshme në një ditë
Ish kryeministri Majko: Të shkojmë në referendum dhe zgjedhje të parakohshme në një ditë

Ish kryeministri Majko: Të shkojmë në referendum dhe zgjedhje të parakohshme në një ditë

Dy herë ish kryeministri i Shqipërisë, aktualisht deputeti socialist Pandeli Majko, ka propozuar mbajtjen e një referendumi dhe zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Reformës Zgjedhore. Në një koment të botuar në faqen e tij në Fejsbuk, me titull “Delet nuk meritojne referendum”, zoti Majko komenton rreth asaj që ai e quan “pika 88” e Komisionit të Venecias, miratimin e së cilës opozita e ka vënë si kusht për miratimin e Reformës në Drejtësi. Zoti Majko citon këtë pike sipas së cilës “Në se partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre”. “KUSH ESHTE SHUMICA E CILESUAR QE PARTIA SOCIALISTE KA REFUZUAR?!” pyet zoti Majko.
Duke e quajtur qëndrimin e opozitës një “lodër fëmijësh…që po kthen në budalla një opinion të tërë publik të vendit” zoti Majko shkruan: “Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë”. “Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do” shprehet ish kryeministri i Shqipërisë. Ai i bën thirrje opozitës t’i bashkohen thirrjes për të shkruar në zgjedhje “Në se demokratët janë gati, ti ftojmë sëbashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!” shkruan Pandeli Majko.