KRYEFAQJA » LAJME » Ish kryeprokurorja Rama do kthehet në Gjykatën e Apelit
Ish kryeprokurorja Rama do kthehet në Gjykatën e Apelit

Ish kryeprokurorja Rama do kthehet në Gjykatën e Apelit

Ish prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë në vitet 2007-2012 Ina Rama, do të rikthehet si gjykatëse në Gjykatën e Apelit. Vendimi është dhënë të hënën nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për mos rikthimin në detyrën e gjykatësit, të zonjës Rama. Pas lirimit nga detyra e prokurores së përgjithshme në vitin 2012, ajo i kish kërkuar sipas ligjit KLD rikthimin e saj në detyrë në Gjykatën e Apelit ku kish punuar më parë. Por Këshilli Lartë i Drejtësisë i kryesuar nga presidenti Bujar Nishani, nuk e kishte pranuar. Pritet që pas këtij vendimi KLD-ja  t’i propozojë presidentit emërimin e Ina Ramës në Gjykatën e Apelit në Tiranës.
Zonja Rama i përket brezit të juristëve të rinj shqiptarë të pas vitit 1990. Pas një kariere të gjatë si gjyqtare, ajo u propozua për postin e kryeprokurores nga ish presidenti Bamir Topi në vitin 2007, në kohën kur në pushtet ishte PD dhe qeveria e kryeministrit  Sali Berisha. Zgjedhja e saj në atë kohë, u shoqërua me vlerësime mjaftë pozitive nga demokratët. Por qëndrimi i zonjës Rama në disa ngjarje të njëpasnjëshme, implikimi i familjes Berisha në “Çështjen Gërdeci” 2008 dhe veçanërisht  vrasja e katër aktivistëve të opozitës së majtë më 21 janar 2011 para selisë së qeverisë, prishi përfundimisht  marrëdhëniet me ish kryeministrin Berisha, i cili në atë kohë nuk kurseu edhe epitetet fyese ndaj zonjës Rama. Në vitet e mëpasme ajo ka vazhduar profesionin e saj si juriste.