KRYEFAQJA » LAJME » Ish ministri i arsimit shpallet i pafajshëm
Ish ministri i arsimit shpallet i pafajshëm

Ish ministri i arsimit shpallet i pafajshëm

Ish-ministri i arsmit në qeverinë e PD, deputeti Myqerem Tafaj, është shpallur të enjten i pafajshëm nga Gjykata e Lartë. Një vit më parë prokuroria e kishte akuzuar atë për “shpërdorim detyre”, pasi në kohën kur ishte ministër në qeverinë Berisha, kishte miratuar në kundërshtim të hapur me ligjin 8 programe studimi të një universiteti privat. Vendimi ishte marrë edhe pasi Këshilli i Akreditimit  nuk i kishte pranuar me argumentin se nuk plotësonin asnjë nga kriteret për tu hapur këto programe. Sipas prokurorisë pas vendimit të dhënë prej zotit tafaj për akreditimi, 1869 diploma të lëshuara nga universiteti privat janë të pavlefshme, duke u shkaktuar një dëm mbajtësve të tyre në vlerën 1 milion euro. Për këto arsye Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 1 vit burg për ish-Ministrin e Arsimit.  Shpallja si i pafajshëm për zotin Tafaj, nga avokatja e tij është konsideruar si një vendim i drejtë i dhënë nga Gjykata e Lartë. Zoti Tafaj i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat ndaj tij, duke i cilësuar si të frymëzuara politikisht. “Nuk mund të pranoj fushata apo vendime për “prerje kokash””, tha në atë kohë ai. Ndërkaq vetë universiteti për të cilin ish ministri u akuzua se kishte shkelur ligjin, prej vitit 2014 është mbyllur, pas një vendimi të qeverisë Rama për t’i dhënë fund informalitetit në arsimin e lartë. Sipas vendimit në atë kohë në Shqipëri u mbyllën 18 universitete private dhe 7 filiale të universiteteve publike, shumica e tyre të çelura  në kohën e qeverisë Berisha.