KRYEFAQJA » LAJME » Ish ministri Tafaj : “Nuk mund të pranoj fushata apo vendime për “prerje kokash””
Ish ministri i arsimit shpallet i pafajshëm

Ish ministri Tafaj : “Nuk mund të pranoj fushata apo vendime për “prerje kokash””

Ish-Ministri i Arsimit në qeverinë Berisha, Myqerem Tafaj, aktualisht deputet i i PD në parlamentin shqiptar është akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre. Prokuroria e ka çuar dosjen e tij në Gjykatën e Lartë. Ajo është e bindur se zoti Tafaj ka shpërdoruar detyrën duke vendosur hapjen në mënyrë të kundraligjshme të programeve mësimore të një shkolle të lartë private, aktualisht e mbyllur, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli Kombëtar i Akreditimit.
Por vetë zoti Tafaj i ka hedhur poshtë akuzat. Në një reagim të tij ai thekson se “… vendimi i marrë nga Prokuroria Përgjithshme është i padrejtë dhe, si i tillë, duket se është marrë nën presionin e Qeverisë”. Sipas tij  çdo vendimarrje për hapje programesh studimi është bërë sipas kompetencave që i jep Ministrit Kushtetuta e Republikës. Por ajo çka bie në sy në reagimin  e ish ministrit të arsimit, figurë e lartë në PD, është dyshimi se gjithçka po bëhet në kuadrin e luftës politike.  “Mbështes fuqimisht zbatimin e ligjit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, por sigurisht nuk mund të pranoj fushata apo vendime për “prerje kokash” për hir të luftës politike të qeverisë ndaj opozitës, apo thjesht për hir të statistikave”. Megjithatë zoti Tafaj  beson se “… gjykata do ta gjykojë këtë çështje në mënyrë të pavaruar dhe të drejtë, sepse jam i sigurtë në pafajësinë time”. Dy vjet pas ardhjes së koalicionit të majtë në pushtet, i cili një nga premtimet e tij kishte luftën kundër korrupsionit duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës, ish ministri demokrat duket se është zyrtari më i lartë që prokuroria shqiptare ka çuar në gjykatë. Më parë ka tërhequr vemendjen një deklaratë e prokurorit të përgjitshëm lidhur me luftën kundër korrupsionit, se gjatë shtatorit do të kishte ngjarje të bujshme.