KRYEFAQJA » LAJME » Ish-tuneli i nëndetëseve në Porto Palermo do të hapet këtë verë për vizitorët
Ish-tuneli i nëndetëseve në Porto Palermo do të hapet këtë verë për vizitorët

Ish-tuneli i nëndetëseve në Porto Palermo do të hapet këtë verë për vizitorët

Një nga krenaritë e ushtrisë shqiptare në kohën e komunizmit, ish-tuneli i nëndetëseve në Porto Palermo do të hapet këtë verë për vizitorët. Lajmin e bën të ditur për TVSH drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare. “Do hapet në mes të muajit korrik. Jemi në bashkëpunim me Ministrine e Mbrojtjes” tha për TVSH zoti Tare. Sipas tij çelja do të jetë modeste, ndërsa për më shumë do të mendohet vitin e ardhshëm.
Sipas të dhënave tuneli i nëndetëseve të Porto Palermos është rreth 1 kilometër i gjatë, 12 metra i lartë dhe një sipërfaqe që i kalon disa hektarë. Tuneli i cili konsiderohet ndër tunelet më të mëdhenj të nëndetëseve në ish-vendet komuniste, nisi të ndërtohej në fillim të viteve ’70. Në fund të viteve ’80, për rreth dy vite aty u transferuan 4 Nëndetëset e vetme të bazës së Pashalimanit me ekuipazhet e tyre. Sipas zyrtarëve të kohës nga pikëpamja inxhinierike objekti i Porto Palermos, është një ndër veprat më të mëdha që u ndërtuan në kohën e komunizmit në Shqipëri. Ai ua kalon HEC-eve të Fierzës, Komanit sepse është një objekt që brenda tij përfshin 20 objekte të tjera, të tillë ujësjellësi, bankina, depot e karburantit si dhe bateria bregdetare e topave. Në ndërtimin e tij kanë punuar grupe ushtarake të xhenjos.
Hapja e tunelit të Porto Palermos për vizitorët pason hapjen e ishullit të Sazanit vitin e kaluar. Që nga ajo kohë mijëra vizitorë kanë mbërritur në këtë ishull i kthyer në atraksion historik dhe turistik.