KRYEFAQJA » LAJME » Itali, frikë nga tërmetet
Itali, frikë nga tërmetet

Itali, frikë nga tërmetet

Mijëra njerëz në Italinë qendrore e kanë kaluar natën nëpër makina, tenda, si dhe vende të përkohshme strehimi, pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin të dielën në orët e para të mëngjesit. Frika mes banorëve është e madhe pasi toka vijon të dridhet. Tërmeti i më fortë i regjistruar u shënua me magnitudë 4.2 në provincën e Norçes. Ndërsa gjatë natës u regjistruan 114 lëkundje gjithsej. Sipas të dhënave nga autoritetet, 40 mijë persona janë zhvendosur nga banesat e tyre, pjesa me e madhe në zonat më të goditura në Umbria e Marche. Mbi 2000 përllogaritet numri i banorëve të mbetur pa strehë. Zyra e mbrojtjes civile informon se numri i të pastrehëve pritet të shkojë tek 100 mijë persona. Kryeministri Mateo Renzi premtoi se çdo gjë do të rindërtohet, shtëpitë, kishat, qendrat tregtare. Fatmirësisht tërmeti i rënë mëngjesin e djeshëm nuk shënoi asnjë viktimë, vetëm 20 të plagosur. Ndonëse dëmet materiale janë katastrofike ku në qyteza të tëra tashmë nuk ka më asnjë ndërtesë në këmbë, madje sipas ekspertëve ne Italinë qendrore nuk ka më qytete historike. Bazilika mesjetare e Shën Benediktit në Norcia ishte mes ndërtesave historike dhe strukturave të tjera që u shkatërruan pas tërmetit të fundjavës. Epiqendra e tërmetit ishte mes Marche dhe Umbrias dhe u konsiderua si më i forti që nga vitit 1980. Italia qendrore është goditur nga disa tërmete të fuqishme gjatë viteve të fundit. Kujtojmë tërmetin në vitin 2009, ku qyteti i Akuilës u shkatërrua dhe më i fundit në gusht të këtij viti, në Amatriçe e në të dyja rastet mbetën të vdekur të paktën 300 të vdekur.