KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Itali, ligji për hedhjen e ushqimeve
EPA/Herwig_Vergult
EPA/Herwig_Vergult

Itali, ligji për hedhjen e ushqimeve

Qeveria italiane, ka miratuar një ligj i cili parashikon parandalimin e hedhjes së ushqimit në mbeturina. Ky vendim i qeverisë italiane vjen pasi shteti po humbiste sasi të mëdha ushqimi në mbeturina çdo vit. Ligji është miratuar nga 181 senatorë, të cilët po ashtu i kanë inkurajuar njerëzit që ta marrin me vete ushqimin që u tepron kur hanë nëpër restorante, ndërsa ligji i detyron supermarketet që ta falin ushqimin e tepërt e të mos e hedhin në mbeturina. Qëllimi i këtij ligji, është që të zvogëlohet sasia prej pesë milionë tonësh që hidhen çdo vit, për të paktën një milion ton. Ministrat italianë, kanë thënë se hedhja e ushqimit po u kushton shtrenjtë bizneseve dhe amvisave në Itali, për më shumë se 12 miliardë euro për çdo vit. Ndërkaq në botë çdo vit 1.3 miliard ton ushqime, gati 1/3 e atyre që prodhohen shpërdorohet, nga ku 45% e të gjithë totalit janë fruta dhe perime, 35% peshk dhe fruta deti, 30% drithëra, 20% prodhime blegtorale dhe 20% mish. Në Evropë po merren masa legjislative për të parandaluar shpërdorimin dhe hedhjen e ushqimeve. Në Francë së fundmi është miratuar një ligj, që e konsideron të paligjshme hedhjen e ushqimeve nga supermarketet. Duke filluar nga korriku i vitit 2016, supermarketet në Francë nuk lejohen të hedhin ushqimet para datës së skadencës, por duhet t’ua dhurojnë të varfërve. Sipas OKB, nëse sasia e ushqimit të shpërdoruar do të ulej me 25% do të ishte e mjaftueshme për të ushqyer të gjithë njerëzit e kequshqyer.