KRYEFAQJA » LAJME » Italia me plan të ri për azilkërkuesit

Italia me plan të ri për azilkërkuesit

Qeveria italiane paraqiti një plan për të akomoduar në kushte më të mira azilkërkuesit duke shtuar përpjekjet për frenimin e prurjeve të reja dhe dëbimin e të refuzuarve. “Duhet të akomodojmë dhe integrojmë cilindo që e meriton dhe riatdhesojmë pjesën tjetër”, u shpreh ministri i Brendshëm, Marco Minniti, duke prezantuar planin përpara një komisioni parlamentar. Ndërsa në Itali kanë zbarkuar më shumë se 500 000 migrantë që nga 2014 dhe qendrat e saj pritëse numërojnë aktualisht gati 175 000 azilkërkues, plani synon një rishpërndarje maksimale, me një objektiv prej 2,5 azilkërkues për 1000 banorë. Ndërsa zv/presidenti i Komisionit Evropian Frans Timmermans deklaroi se do të përballen me pasoja ato vende të Bashkimit Evropian, që nuk pranojnë pjesën që u takon të refugjatëve. Gjatë një konference për shtyp Timmernans tha se ende shpreson që “presioni i vendeve të tjera” të mund t’i bindë udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së të pranojnë një pjesë nga 160 mijë refugjatët që ndodhen aktualisht në Greqi dhe Itali. Por ai nuk e përjashtoi mundësinë e ndëshkimit të atyre vendeve, nëse deri muajin tjetër nuk shënohet përparim mbi këtë çështje. Sipas tij është shumë e padrejtë që Greqia dhe Italia të mbingarkohen, ndërsa disa vende të tjera nuk kanë asnjë refugjat.