KRYEFAQJA » LAJME » Jahjaga: Jo akteve vandale, po gjuhës së dialogut!
Jahjaga: Jo akteve vandale, po gjuhës së dialogut!

Jahjaga: Jo akteve vandale, po gjuhës së dialogut!

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar ashpër veprimet gjatë protestës së opozitës ditën e shtunë, të cilat sipas saj, “janë akte vandale”. Përmes një psotimi në rrjetin social “Facebook”, Jahjaga thekson se “aktet e dhunshme nga protestuesit kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit”. “Dënoj ashpër vandalizimin e pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit, që e kanë për detyrë t’i mbrojnë institucionet e vendit. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci, e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe si mjet për të shprehur pakënaqësinë nuk duhet të kontestohet nga askush. Por, kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe zjarrvënia e sotme ndaj institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme”reagoi zonja Jahjaga.
Presidentja Jahjga u ka bërë thirrje protestuesve që të tregojnë përgjegjësi, ndërsa organizatorëve u ka kërkuar distancim nga këto akte. “Ju apeloj protestuesve të tregojnë përgjegjësi dhe thërras për qetësi, ndërsa organizatorëve të protestës të distancohen nga këto akte dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre që të ndalojnë dhunën në sheshet e Prishtinës. Kërkoj nga organet e rendit që t’i identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë individët apo grupet që përshkallëzuan situatën” bën thirrje presidentja e Kosovës.
Zonja Jahjaga ka përsëritur se zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra e vetme për të tejkaluar çfarëdo përshkallëzim të mëtejshëm të gjendjes. “Këto zhvillime dhe mungesa e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje po na kthejnë në pikën zero dhe po lëndojnë përkrahjen që gëzojmë në konsolidimin tonë si shtet i pavarur dhe sovran” shpreh shqetësimin presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.