KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Jaka sjell të rejat e ligjit për Dhomat e Tregëtisë
Jaka sjell të rejat e ligjit për Dhomat e Tregëtisë

Jaka sjell të rejat e ligjit për Dhomat e Tregëtisë

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, ka zbardhur të martën përmbajtjen e ligjit të ri për Dhomat e Tregëtisë, pas anksave të shumta se ai parashikonte anëtarësim të detyrueshëm dhe tarifa të kripura.
“Ligji parashikon që anëtarësia në Dhomën e Tregtisë do të jetë vetëm 100 lekë , sipërmarrjet familjare, që është një risi që do të ketë tashmë politika e Dhomave të Tregtisë dhe, ku tarifa e tyre do të jetë 100 lekë anëtarësi vjetore, personat fizike jo më shumë se 1000 leke, kjo është anëtarësia vjetore dhe ky është një target grup që kap deri në 90 mijë sipërmarrje që sot ushtrojnë aktivitetin në territorin e Shqipërisë, pra vetëm 100 lekë ose 7 dollarë në vit” tha zoti Jaka.
Sipas tij personat juridikë do të trajtohen në varësi të xhiros. Ajo  fillon nga 3000 lekë deri në 100 mijë lekë. “Këtë tarifë do ta paguajnë sipërmarrjet që janë te vipat, që janë jo më shumë se 1000. Personat juridikë të cilët kanë xhiro më të vogël se 100 milionë të reja në vit variojnë nga 3000 mijë lekë në 10 000 mijë lekë, pra është një tarifë simbolike” sqaroi zoti Jaka.
Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka tha se për hartimin e ligjit ka kaluar një periudhë dialogimi rreth 9 muaj. “Nuk mendoj se ka shumë për të diskutuar se është shumë preçiz” u shpreh ai.
Zoti Jaka e cilësoi si risi faktin që asambleja e Dhomës së Tregtisë do të trajtojë në mënyrë të veçantë sipërmarrësit që kanë më shumë se dy kompani. “Anëtarësia e tyre nuk do të jetë për secilën e kompani, por do të jetë e unifikuar në marrëveshjen që do të ketë Dhoma e Tregtisë” tha ai.
Ndër të rejat e ligjit të Dhomave të Tregëtisë zoti Jaka përmendi krijimin e sportelit të eksporteve, Dhomës së Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit, dhe mbështetjen për sipërmarrjen e gruas dhe të rinjve.