KRYEFAQJA » LAJME » Januzaj tek Borusia e Dortmundit
Januzaj tek Borusia e Dortmundit

Januzaj tek Borusia e Dortmundit

Adnan Januzaj do të lërë Mançester Junajtid, pasi është huazuar nga skuadra gjermane e Borusias së Dortmundit, fanellën e së cilës do ta veshë deri më 30 qershor të vitit 2016. Lajmi është konfirmuar nga vet lojtari, i cili fillmisht ka postuar një foto me fanellën e Dortmundit, ku do të mbajë mbi shpinë numrin 9. Ndërsa në faqen zyrtare të klubit është postuar edhe një video e prezantimit të futbollistit kosovar me pasaportë belge, së bashku me një intervistë të shkurtër të tij. “Jam i lumtur që kam nënshkruar me Borusia e Dortmundit”, ka deklaruar ai për kanalin televiziv të klubit gjerman. “Kjo është një skuadër e madhe dhe tifozët janë të jashtëzakonshëm. Dëshiroj të arrij suksese të mëdha me këtë skuadër” shprehet Januzaj. Në fakt, huazimi i Januzajt tek Dortmundi ka ardhur si surprizë, pasi futbollisti me origjinë nga Kosova, por që zgjodhi të luajë për Belgjikën kur ishte kërkuar edhe nga Shqipëria, kishte këmbëngulur të qëndronte tek Mançester Junajtid. Madje ai ishte aktivizuar si titullar në shumicën e takimeve të “Djajve të kuq” në këtë fillim sezoni, si në Premier Ligën Angleze, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Pritet që me Borusian e Dortmundit ai të ketë edhe më tepër hapsirë, ndërsa skuadra e tij e re e ka nisur sezonin e Bundesligës gjermane me 3 fitore në po aq ndeshje, duke kryesuar renditjen me pikë të barabarta me Bajernin e Mynihut.