KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Japonezi Ohsumi merr Çmimin Nobel për Mjeksinë

Japonezi Ohsumi merr Çmimin Nobel për Mjeksinë

Çmimi Nobel për Mjeksinë i është dhënë japonezit Yoshinori Ohsumi për zbulimin e mekanizmit të vetëngrënies, me anë të cilit qelizat riqarkullojnë substancat e padobishme. Të qënurit e këtij mekanizmi ishte hipotizuar që nga vitet ’60, por vetëm kërkimet e bëra në vitet ’90 nga Ohsumi lejuan që ky proces të kuptohet deri në fund. Shkencëtari japonez e mori këtë çmim për kërkimet e bëra mbi një organizëm shumë të thjeshtë, si majaja që zakonisht përdoret për të bërë bukën.

Duke vështruar sjelljen e këtij mikroorganizmi arriti më pas të vërtetojë se i njëjti mekanizëm që i lejonte majasë që të lirohet nga substancat e padobishme ishte i pranishëm në të gjitha qelizat, përfshirë edhe ato njerëzore. Mekanizmi i vetëngrënies, që i dha japonezit Ohsumi Çmimin Nobel për Mjeksinë, pati një rol kryesor edhe në kuptimin e mekanizmave që i japin zanafillën sëmundjeve të përhapura, si infeksionet dhe tumoret.