KRYEFAQJA » LAJME » Jep dorëheqjen këshilltari i presidentit Nishani
Jep dorëheqjen këshilltari i presidentit Nishani

Jep dorëheqjen këshilltari i presidentit Nishani

Gjeneral-brigade Piro Ahmetaj, Këshilltari për Mbrojtjen i presidentit Bujar Nishani, ka dhënë dorëheqjen pasi u përfshi ditët  fundit në replika të ashpra me deputetet e maxhorancës së majtë në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare. Sipas tij gjithçka ka ardhur nga një “…”pakujdesi teknologjike e pafalshme” e postuar në adresën private në Facebook…”. Në letrën drejtuar presidentit Nishani, fragmente të të cilës janë botuar të martën në disa media, shkruhet se “Duke marrë përgjegjësinë e ngarkesës që ka krijuar për Ju dhe institucionin e Presidentit të Republikës një ‘pakujdesi teknologjike e pafalshme’ e postuar në adresën private në Facebook, ditën e diel, dt.6.09.2015; devijimin e qëllimshëm për hakmarrje personale dhe devijimin e orkestruar nga kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Ekzekutivi (MM) mbi shqetësimet profesionale që trajtohen në këtë status, si dhe mbështetur në përgjegjshmërinë për standarde perëndimore dhe integritetin zyrtar që përfaqëson ky funksion, ju paraqes dorëheqjen zyrtare për lirimin nga detyra dhe daljen në rezervë”.
Ish këshilltari Ahmetaj akuzoi deputetë të maxhorancës si “…kriminelë, trafikantë e perversë…”, ç’ka ka provokuar reagimin e ashpër të tyre duke kërkuar urgjentisht edhe dorëheqjen. Disa prej tyre akuzuan ish këshilltarin e mbrojtjes së presidentit se ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, ndërsa pretenduan dhe publikuan edhe pseudonimin e tij.
Këto zhvillime ndodhin në momentin kur polemikat mes maxhorancës dhe opozitës për dekriminalizimin e politikës dhe administratës janë rritur ndjeshëm, ndërsa një ligj i posaçëm i kërkuar me ngulm edhe nga komuniteti ndërkombëtar pritet të miratohet ditët që vijnë.