KRYEFAQJA » LAJME » John Kerry, së shpejti në Kosovë
john kerry, vizite zyrtare ne kosove te merkuren

John Kerry, së shpejti në Kosovë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të zhvillojë të mërkurën një vizitë zyrtare në Kosovë, për të nënvizuar “shqetësimin e Perëndimit” mbi përparimin e ngathtë që prej përfundimit të luftës në Kosovë, 16 vjet më parë. Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se vizita e shkurtër e zotit Kerry “ka për synim të dëshmojë edhe mbështetjen për procesin demokratik të shtet-ndërtimit, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ky zyrtar citohet të ketë thënë gjithashtu se zoti Kerry do të shtrojë edhe çështjen e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftimet në Siri, para se të niset për në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, punimet e të cilit, siç thuhet, do të mbizotërohen nga lufta në Siri dhe rreziku i grupit militant Shteti Islamik. Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit u bë e ditur një ditë më parë edhe nga Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ku deklaroi se “po hyjmë në një javë të rëndësishme pasi do të vijë John Kerry. E thërras opozitën që të marr pjesë në seanca pasi aty është vendi i tyre” tha zoti Veseli, ndërsa marrëdhëniet midis maxhorancës dhe opozitës janë acaruar akoma më shumë. Një ditë më parë sërisht deputetët e opozitës hodhën gazlotsjellës në sallën e kuvendit, veprim për të cilin policia arrestoi pesë deputetë.