KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mbështetësit e Britanisë në BE: Largimi do të thotë vetëdëmtim
be

Mbështetësit e Britanisë në BE: Largimi do të thotë vetëdëmtim

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i tërhoqi vërejtjen Britanisë se votimi për largim nga Bashkimi Evropian, do të jetë “një akt i vetëdëmtimit”, që do t’i rrezikojë përfitimet e ndërsjella në disa dhjetëvjeçarë. Këtë thirrje emocionale për votuesit britanikë, zoti Juncker e bëri një ditë para referendumit të së enjtes, kur vendoset se a do të mbetet Mbretëria e Bashkuar në BE apo jo. “T’ua ktheni shpinën fqinjëve tuaj, të tërhiqeni në izolim, është kundër çdo gjëje që besojnë Evropa dhe Britania”, tha zoti Juncker. “Largimi do të thotë dëmtim i vetes”.
Banka Qëndrore Evropiane ndërkaq është e gatshme të përballë çdo rrethanë. Garancia vjen nga kreu i saj Mario Dragi para se britanikët t’u drejtohen kutive të votimit. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, tha se kjo Bankë është e gatshme të përballet me të gjithë skenarët e mundshëm pas referendumit të 23 qershorit, duke shtuar se është e vështirë të parashikohet rezultati.
Evropa ka nevojë të ndryshojë drejtimin, edhe në rast se Britania e Madhe vendos të qëndrojë në Bashkimin Evropian, deklaroi nga Berlini ministri gjerman i Financave, ëolfgang Schaeuble. “Gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë ecur deri tani. Ndryshe njerëzit do të thonë se nuk kemi kuptuar asgjë”, shtoi ai.
Rreth 1 300 krerë kompanish, ku shumica janë sipërmarrje të mëdha të kuotuara në Bursën e Londrës, kanë shpallur në një letër të hapur tek e përditshmja britanike “Times” se mbështesin qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE një ditë para referendumit historik. “Një BM që largohet nga BE-ja nënkupton pasiguri për kompanitë tona, më pak tregti me Evropën dhe më pak të punësuar, ndërsa qëndrimi në BE mbështet aktivitetin dhe punësimin. Ja përse më 23 qershor ne mbështesim një Britani të Madhe që qëndron në BE”, kanë shkruar ata në këtë tribunë të publikuar sot nga e përditshmja britanike.