KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Junker: Shkoj në Moskë për bisedime, jo për të rishqyrtuar sanksionet

Junker: Shkoj në Moskë për bisedime, jo për të rishqyrtuar sanksionet

Presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, thotë se vizita e planifikuar e tij në Rusi ka për qëllim ta mbajë dialogun, e jo të sinjalizojë rishqyrtim të sanksioneve të imponuara nga Bashkimi Evropian. Junker e ka pranuar ftesën e Rusisë për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg më 16 qershor, që do të jetë udhëtimi i parë në Rusi i një zyrtari të lartë të BE-së, qëkur Moska ka aneksuar Krimenë e Ukrainës, në vitin 2014. Kjo vizitë po bëhet vetëm disa javë para se 28 vendet anëtare të BE-së duhet të vendosin nëse do t’i zgjasin sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. “Ne nuk do të shohim zbutje të pozicioneve evropiane”, u tha mbrëmë Junker gazetarëve në Luksemburg, duke shtuar se “ne do t’i vazhdojmë sanksionet kundër Rusisë dhe do ta bëjmë të qartë se në asnjë mënyrë nuk biem dakord me aksionet e Rusisë në Ukrainë dhe Krime”.