KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ka shkuar në 27 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Itali

Ka shkuar në 27 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Itali

Ka shkuar në 27 numri i viktimave që humbën jetën nga përplasja ballore e trenave në Pulia të Italisë Jugore. Ndërkohë, 50 persona u plagosen, dhjetë prej të cilëve në gjendje të rëndë. Zjarrëfikësit dhe ekipet e shpëtim-kërkimit në vendngjarje vijuan gjatë gjithë natës operacionin e kërkimit të të mbijetuarve apo viktimave të tjera të mundshme në mbetjet e vagonave të trenave të cilët u përplasen paraditen e djeshme në distancën mes lokaliteteve Ruvo dhe Korato për shkak se ndodheshin në të njëjtin binar. Raportohet se deri në orën 7 të mëngjesit të sotëm nuk është gjetur ndonjë viktimë tjetër. Nuk është e qartë sesa persona kanë qënë në të dyja mjetet pasi për trenat nuk ka lista pasagjerësh. Ndërkohë, prokuroria mendon se aksidenti mund të ketë ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor, por ndërkohë ka marrë në konsideratë edhe pista të tjera, si ajo e gabimit teknik. Nga vendngjarja kryeministri Italian Mateo Renzi shprehu ngushëllimet për familjet dhe deklaroi se nuk do të ndalonte derisa të bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur realisht.