KRYEFAQJA » LAJME » Kamerat në trupat e policëve, Basha sulmon Ramën dhe Tahirin
Kamera në trupin e policëve

Kamerat në trupat e policëve, Basha sulmon Ramën dhe Tahirin

Qeveria shqiptare po vazhdon përpjekjet për të kthyer sipas saj, besimin e qytetarëve tek policia. Të martën në prani edhe të kryeministrit Edi Rama është prezantuar projekti i kamerave të trupit të efektivëve të Policisë së Shtetit. “Jemi në një angazhim të pandalshëm e të përditshëm, që na jep mundësinë të bëjmë një kapërcim epokal. Të bëjmë një transformim sa më cilësor të marrëdhënies së policisë me qytetarin dhe një veprim sa më cilësor në luftën kundër krimit të organizuar” tha zoti Rama me këtë rast. “Ky program transformimi i policisë shërben për ta bërë sa më transparente punën e agjentëve të policisë”, tha më tej kryeministri. Sipas tij qeveria e kryesuar prej tij trashëgoi policinë më të paedukuar në rajon dhe Evropë. “Me kamerën e trupit të instaluar, polici nuk mund të bëjë favore apo të mos zbatojë ligjin” tha nga ana e tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai kujtoi se aktualisht janë në procedim penal apo disiplinor për shpërdorim detyre rreth rreth 2.000 punonjës policie.

Por pas këtyre deklaratave, ka reaguar menjëherë kreu i PD, Lulzim Basha. “Propagandë mashtruese dhe asgjë më shumë projekti i kamerave të trupit, apo kamerave të tjera që ka ndërmend të instalojë kjo klike e lidhur me bandat” e cilëson ai në një deklaratë për mediat. “Çdo teknologji që shton sigurinë e lufton krimin është e mirëpritur, por e gjitha mund të shkojë në të kundërtën, kur bie në duart e gabuara” shkruan ai. “Kush do ti shohë kamerat kur Ministri i Brendshëm takohet dhe ndërmjetëson me vrasësin me pagesë në zyrën e tij dhe në vilat qeveritare ne plazh?” pyet ndër të tjera zoti Basha. “Kamerat e tij, thjesht s’do të punojnë, ose do të jenë me defekt teknik, kur vjen puna për të pasqyruar lidhjet e tmerrshme që ai ka me krimin” u përgjigjet pyetjeve të tij kreu i opozitës.