KRYEFAQJA » LAJME » KAMPIONATI KOMBËTAR I BASKETBOLLIT PËR MESHKUJ

KAMPIONATI KOMBËTAR I BASKETBOLLIT PËR MESHKUJ

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, ka luajtur të shtunën ndeshjen e fundit e javës së 5-të dhe ka ardhur një fitore e thellë e Tiranës përballë Flamurtarit, në takimin e zhvilluar në Pallatin e Sportit në Vlorë dhe pamje të të cilit na i sjell kjo kronikë. Tirana ka fituar me rezultatin 103-54, duke vijuar të mbajë vendin e parë në renditje dhe ka konfirmuar që këtë sezon është një skuadër që kërkon titullin “kampion” në koshin shqiptar të meshkujve. Dy ndeshjet e para të javës së saj të 6-të, janë luajtur të premten, duke dhuruar surpriza. Kështu, Vllaznia ka mposhtur Teutën me rezultatin e ngushtë 62-59, ndërsa Kamza Basket ka mposhtur Ardhmëria Basketin me shifrat 68-57. Edhe niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Kategoria e Parë, i ka luajtur të shtunën dy ndeshjet e javës së 5-të të tij. Tirana Eagles Basket ka fituar bindshëm në Korçë ndaj Skënderbeut vendas, duke triumfuar me shifrat 67-40, ndërsa Apolona ka gjetur në Elbasan fitoren e parë, duke triumfuar 67-62 ndaj vendasve.