KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kancelarja gjermane Merkel takohet me presidentin kinez Xi Jinping

Kancelarja gjermane Merkel takohet me presidentin kinez Xi Jinping

Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua dje me presidentin kinez Xi Jinping, i cili i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si shumë të pjekura. “Marrëdhëniet mes Kinës dhe Gjermanisë kanë hyrë në një nivel shumë të lartë, pas 40 vitesh përpjekesh të përbashkëta që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike”, u shpreh Xi. Merkel filloi të dielën një vizitë zyrtare në Kinë për raundin e katërt të konsultimeve ndërqeveritare Kinë-Gjermani. Presidenti kinez propozoi që dy vendet të intensifikonin besimin e ndërsjellë, duke u kujdesur për interesat dhe shqetësimet e njëri-tjetrit, si dhe duke zgjeruar bashkëpunimin dhe fuqizuar komunikimin strategjik në fushat e diplomacisë dhe sigurisë. Ai gjithashtu shprehu besimin se Gjermania dhe Bashkimi Europian do ta shikonin në mënyre objektive konkurrencën dhe bashkëpunimin, në mënyrë që t’u përgjigjeshin në mënyrën e duhur mosmarrëveshjeve tregtare me Kinën. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve europiane t’i përmbahen nenit 15 të protokollit të anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë.