KRYEFAQJA » LAJME » Kapshticë, gjendet 260 kg hashash në kamion, arrestohet turku

Kapshticë, gjendet 260 kg hashash në kamion, arrestohet turku

Rreth 260 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa u gjet e fshehur në një kamion në Doganën e Kapshticës paraditen e së martës. Burime të policisë së Korçës bëjnë të ditur se droga është pikasur gjatë procesit të skanimit, teksa ishte fshehur mes shasisë së kamionit me targë 34 BZ 5293 dhe rimorkio 34 AV 0803, i drejtuar nga turku Simsek Kulakoglu. Ishin 263 pako të mbështjella me natriban ndërsa policia po heton për peshën e saktë të lëndës narkotike. Policia e arrestoi shoferin e kamionit, dhe ka nisur menjëherë hetimet nëse persona të tjerë janë të përfshirë në këtë trafik. Edhe Policia e Vlorës arrestoi 8 persona të cilët posedonin armë dhe kultivonin bimë narkotike. Pas një kontrolli të kryer në fshatin Tragjas i Vjetër, në një parcelë të përshtatur pranë “Përroit të Vilave”, u gjetën rreth 1000 rrënjë bimë Canabis Sattiva, të cilat u asgjësuan. Nga kontrolli i ushtruar përreth zonës ku këta shtetas qëndronin, janë gjetur të fshehura dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 4 armë zjarri.