KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Karman: ISIS është dorë e zgjatur e Asadit
KARMAN NOBEL PRIZE

Karman: ISIS është dorë e zgjatur e Asadit

Nobelistja nga Jemeni, Tawakkol Abdel-Salam Karman, thotë se është pikërisht diktatura ajo që çon në korrupsion, në zhvillim të dobët dhe në mbështetje për dijetarët e këqij, të cilët e interpretojnë keq Islamin apo fetë e tjera. Kundër terrorizmit mund të luftohet vetëm me ndalimin e diktaturës dhe përhapjen e drejtësisë, thotë Karman, duke pyetur nëse bota është vërtet serioze në këtë luftë. Nëse komuniteti ndërkombëtar do që të ndalojë grupin militant Shteti Islamik, shton ajo, atëherë duhet të ndalojë presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad. “Bota nuk ka bërë sa duhet për këtë çështje. Duhen të shqyrtohen mënyrat me të cilat luftohet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Në të kundërtën, ideologjia, frustrimi, urrejtja dhe dhuna do të rriten”, thekson Karman, gazetare dhe politikane nga Jemeni. Ajo thotë se vendet e fuqishme duhet të luajnë rol kyç në këtë luftë, ashtu si edhe sektori joqeveritar dhe mediat. Karman thekson se të gjitha fetë respektojnë vlerat e lirisë, barazisë dhe drejtësisë dhe se nuk ka asnjë lidhje midis tyre dhe ekstremizmit. Sipas saj, grupi ekstremist Shteti Islamik është pikërisht instrument i diktatorit. “Shteti Islamik janë dorë e zgjatur e Bashar al-Assadit. Shihni atë që bën Shteti Islamik. Kush përfiton nga ajo? Diktatori. Ata kanë sulmuar Pranverën Arabe, njerëzit që duan liri dhe demokraci dhe kurrë regjimin e diktatorit. Njerëzit e rëndomtë vuajnë edhe nga diktatori, edhe nga Shteti Islamik. Megjithatë, besoj se, në fund, njerëzit do të fitojnë dhe mendoj se kjo fitore është afër, edhe pse nuk e kemi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç e ka pasur Kosova”, thotë Karman, duke theksuar edhe rëndësinë e lirisë së shprehjes.