KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e parë; Pogradeci – Lushnja 3-3
Kategoria e Pare, sport, pogradec, lusnje, barazim, futboll

Kategoria e parë; Pogradeci – Lushnja 3-3

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, nis të premten pasdreke javën e saj të 9-të me takimin midis Pogradecit dhe Lushnjës. Kjo ndeshje, që ishte e vlefshme për grupin B dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka dhuruar emocionet nga fillimi deri në fund. Pogradecarët kalojnë të parët në epërsi të parët, me anë të Liçkollarit, që realizon në minutën e 13-të, por lushnjarët barazojnë shifrat 11 minuta më pas, me anë të Byzhytit. Në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të dhurojnë edhe 4 gola të tjerë, nga dy për secilën skuadër. Shyti do ta kalojë sërish në epërsi pogradecarët në minutën e 70-të, por Lushnja do të barazojë në minutën e 78-të, me anë të Branicës. Edhe pse Bangura do t’i rikthejë në epërsi vendasit në minutën e 85-të, miqtë sigurojnë një pikë me anë të të Çelës, i cili ekzekuton bukur një goditje këndi dhe përshëndet rrjetën. Ndërkohë, 3 takimet e tjera të kësaj jave në grupin B, si dhe të gjitha takimet e grupit A luhen të shtunën dhe transmetuesi publik do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht njërin prej tyre, atë të orës 14:00 midis Kamzës dhe Burrelit. Ndërkohë, java e 9-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyllet të hënën, me takimin e fundit të grupit B, atë që nis në ora 14:00, midis Apolonisë dhe Bylisit. Kamza kryeson e shkëputur renditjen e grupit A, në kuotën e 24 pikëve, ashtu sikundër edhe Lushnja kryeson e shkëputur renditjen e grupit B, tanimë në kuotën e 23 pikëve.