KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria e Parë: U hodh sot shorti në ambjentet e FSHF-së

Kategoria e Parë: U hodh sot shorti në ambjentet e FSHF-së

U hodh sot në orën 11.00, në ambjentet e FSHF-së, shorti për kalendarin e Kategorisë së Parë për sezonin 2016-2017. Në praninë e përfaqësuesve të klubeve dhe atyre të medias, Drejtori i Departamentit të Garave Lysien Nurishmi, ka hedhur shortit për Grupin A dhe Grupin B. Meqë ekipi i Mamurrasit nuk ka shlyer detyrimet financiare nuk është më pjesë e kësaj kategorie por zëvendësohet nga Partizani B. Kampionati kombëtar i kësaj kategorie do të fillojë të shtunën më datë 24 shtator.

Kampionati do të luhet me tri faza. Risi për këtë sezon është se në fazën e tretë pesë skuadrat e para (vendi 1-5) të secilit grup do të luajnë me njëra-tjetrën për të përcaktuar skuadrën që do të lufojë për titullin kampion, ndërsa pesë skuadrat e dyta (vendi 6-10) të secilit grup do të luajnë me njëra-tjetrën për të përcaktuar skuadrën që do të dalë nga kategoria. Në fazën e tretë pikët e fituara nga secila skuadër në dy fazat e para do të përgjysmohen, pra nëse një skuader mbledh 40 pikë do t’i bëhet 20 në fazën e tretë. Nëse një skuadër mbledh 31 pikë, i bie që gjysma të jetë 15,5 pikë por pikët rrumbullakosen në rritje dhe kjo skuadër do të ketë 16 pikë. Skuadrat që dalin të parat në secilin grup do të ngjiten në Kategorinë Superiore dhe do të ndeshen me njëra-tjetrën në fushë asnjanëse për titullin kampion. Dy skuadrat e fundit në secilin grup bien në kategorinë e dytë.

Grupi A (Java 1)
Burreli – Iliria
Shënkolli – Kamza
Besa – Beslidhja
Tërbuni – Kastrioti
Erzeni – Partizani B

Grupi B (Java 1)
Dinamo – Shkumbini
Elbasani – Turbina
Lushnja – Tomori
Bylis – Pogradeci
Sopoti – Apolonia

Gjatë hedhjes së shortit, janë shpëndarë edhe tabelat e reja elektronike të cilat do të përdoren për ndërrimet e futbollistëve dhe minutat shtesë. Një tjetër risi, për kampionatin kombëtar të Kategorisë së Parë, do të jetë edhe transmetimi i drejtëpërdrejtë i tri ndeshjeve të tij në javë, nga ana e Radiotelevizionit Shqiptar.