KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria Superiore, luhen këtë javë ndeshjet e javës 31
kategoria superiore java 31 ndeshjet luhen te henen

Kategoria Superiore, luhen këtë javë ndeshjet e javës 31

Ndryshe nga ç’ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni, kur ndeshjet janë luajtur zakonisht në fundjavë apo, rrallëherë, edhe në mesjavë, Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit do t’i luajë sot të gjitha ndeshjet e javës së saj të 31-të. Ndonëse ishte njoftuar fillimisht se sfida Vllaznia-Flamurtari do të luhej të dielën, edhe ajo është zhvendosur më pas dhe do të luhet sot. Kështu, 4 prej tyre do të luhen duke nisur nga ora 16:00 dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt sfidën më interesante, atë midis Kukësit dhe Partizanit. Tri takimet tjera të pasdites janë Vllaznia-Flamurtari, Tërbuni-Teuta dhe Bylisi-Laçi. Java e 31-të mbyllet në mbrëmje, me takimin e orës 19:00, midis Tiranës dhe Skënderbeut. Korçarët, kampionë në fuqi, kryesojnë renditjen e Kategorisë Superiore me 66 pikë, dy më tepër sesa Partizani i vendit të dytë, ndërsa Kukësi i vendit të tretë ka mbetur prapa, në kuotën e 52 pikëve.