KRYEFAQJA » LAJME » Kategoria superiore, Skënderbeu vazhdon të dominojë
Kategoria superiore, Skënderbeu vazhdon të dominojë

Kategoria superiore, Skënderbeu vazhdon të dominojë

Skënderbeu sërisht në krye

Skënderbeu nuk njeh rivalë. Edhe pas javës së 4-t të kategorisë superiore, ai vazhdon të kryesojë renditjen e kategorisë superiore me 12 pikë të plota, me 4 fitore në 4 ndeshje të luajtura. Fitoren e kësaj jave ai e shënoi ndaj Tiranës. Një 90 minutësh që dhuroi spektakël, gola, kartona, ankth te tifozët, të cilët u njohën me fituesin vetëm në fund të takimit. Të dy trajnerët, respektivë, Josa dhe Muça hedhin në fushë formacione sulmuese. E ndodhur në pozicione inferiore në renditje, Tirana kërkon me ngulm fitoren. E pa kaluar as 3 minuta lojë, japonezi Fukui shënon me kokë, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit. Futbollistët bardheblu luajnë më mirë e kanë edhe disa rate të tjera për të dyfishuar shifrat, por nuk finalizojnë si duhet. Skënderbeu mundohet të reagojë dhe arrin të barazojë me anë të Berishës, i cili gjuan me të majtën në një pozicion tepër të vështirë, por përfiton edhe nga dalja e gabuar e portierit Frashëri dhe 1-1. Pjesa e dytë nis mirë sërish për tiranën, por Skënderbeu merr nisiativën pas minutës së 60-të me protagonist Berishën, nga këmbët e të cilit nisin një numër sulmesh në drejtim të portës së Tiranës. Në 83′, pas një kundërsulmi, Fukui i jep një top të saktë Likës, i cili i vetëm në zonë nuk e dërgon topin në rrjetë. Dhe ligji i pashkruar i futbollit, “po nuk shënove do të pësosh”, zbatohet menjëherë. Në sulmin pasardhës të Skënderbeut, Progni brenda zonës godet saktë me kokë dhe 2-1 për kampionët. Skënderbeu me meritë ndodhet tashmë në krye të renditjes së kategorisë superiore me 12 pikë i ndjekur nga Partizani me 10 pikë.