KRYEFAQJA » LAJME » Kavajë, miting në mbështetje të kryetarit të dorëhequr
Kavajë, miting në mbështetje të kryetarit të dorëhequr

Kavajë, miting në mbështetje të kryetarit të dorëhequr

Ndërsa politika po komenton sipas interesave të saj dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, të martën qindra bashkëqytetarë të tij kanë shprehur kundërshtimin e tyre dhe kanë kërkuar rikthimin e tij në krye të bashkisë. “As në ëndërr nuk e kisha parë këtë ndryshim në Kavajë. Të vijnë të marrin të gjithë shembull!” tha një qytetar kavajas. Duke e mbështetur Elvis Roshin, përkrahësit e tij e konsiderojnë hero për Kavajën. Vetë zoti Rroshi ka shkuar pranë mbështetësve të tij dhe ka premtuar se do vertetojë pafajësinë e tij e do të rikthehet në krye të bashkisë. “Elvis Rroshin do ta keni kryetar bashkie prapë …” tha ai mes brohoritjeve.

Një ditë më parë Elvis Rroshi dha dorëheqjen pasi rezultoi se ishte dënuar në Itali në moshë minorene, por ai tha se nuk kishte dijeni. Zoti Roshi ishte zgjedhur në krye të Bashkisë së Kavajës pesë vjetë më parë, si i propozuar nga PS në një bastion që prej mbi dy dekada kishte votuar PD. Një vit më parë ai fitoi mandatin e dytë. Vazhdimisht zoti Rroshi është akuzuar për të shkuar kriminale nga opozita e djathtë,  por ai i kishte hedhur poshtë akuzat dhe kishte deklaruar përkushtimin e tij për të ndryshuar qytetin e lindjes.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur keqardhjen për dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, por tha se “pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne”. Nga ana e tij kryetari i Partise Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi dorëheqjen e Elvis Roshit një ngjarje të rëndësishme në zbatim te ligjit të dekriminalizimit, por tha se zgjidhje e situatës është largimi i të inkriminuarve dhe e vetë kryeministrit që ka bërë  promovimin e tyre.