KRYEFAQJA » LAJME » Kavajë, plagoset me armë një drejtues i FRPD, PD akuzon kryeministrin
Kavajë, plagoset me armë një drejtues i FRPD, PD akuzon kryeministrin

Kavajë, plagoset me armë një drejtues i FRPD, PD akuzon kryeministrin

Partia Demokratike e opozitës reagoi të premten ashpër pasi një drejtues lokal i FRPD në Kavajë është plagosur me armë. Sipas PD autori është një drejtues lokal i PS dhe mik i kryetarit të dorëhequr të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. Zyrtarë të lartë të PD, në krye të tyre sekretari i përgjithshëm Arben Ristani, kanë shkuar me urgjencë në spital ku kanë vizituar të plagosurin Erkid Kazazi. Zoti Ristani akuzoi drejtëpërdrejtë kryeministrin Rama si organizator të ngjarjes. “Për ne ngjarja është shumë e rëndë dhe kjo ngjarje tregon se banda me Ramën në krye nuk po ndalet me mënxyrat që po i shkakton këtij vendi. Banda nuk ndalet duke derdhur gjak shqiptarësh të pafajshëm, duke derdhur gjak demokratësh” tha ndër të tjera zoti Ristani. “Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij’ shtoi më tej sekretari i përgjithshëm i PD. “Ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrojtjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për tju përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për tu vetëmbrojtur” paralajmëroi zoti Ristani.

Policia ka njoftuar se ka ndaluar autorin, Saimir Kurti ish drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë, ndërsa burime mediatike bëjnë të ditur se konflikti ka ardhur për një vend parkimi.