KRYEFAQJA » LAJME » Kënd i ri lojrash në njesinë nr.9 në Tiranë

Kënd i ri lojrash në njesinë nr.9 në Tiranë

Një kënd i ri lojrash për femijet do të ndërtohet në njësinë administrative nr. 9. Në rrugën Mine Peza, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikualifikimin e një blloku pallatesh. Vemendja fillestare do t’i kushtohet lirimit të hapsirave për lulishte. Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se kënde lojrash do të ndertohen në të gjitha lagjet e Tiranës. Hapsira në rrugën ‘Mine Peza’ shënon fillimin e punëve për kënde lojërash në çdo lagje. “Ne do të vazhdojmë te zona e maternitetit, do të vazhdojmë në 11 njësitë e Tiranës urbane dhe besoj se deri në fund të verës do të kemi pajisur të gjitha lagjet e Tiranës me hapësira të ngjashme” tha zoti Veliaj.
Duke përsëritur se investimet e Bashkisë shtojnë vlerën e pronës, kryebashkiaku ftoi edhe qytetaret apo bizneset të kontribojnë, por edhe të tregohen bashkëpunues e të mbrojne pronën publike. “Bashkia e Tiranës harxhon një pjesë të madhe të buxhetit për mirëmbajtje, për të riparuar objektet që vandalizohen, ndaj dua që secili qytetar, duke qenë se kontribuon me taksa, të ndihmojë edhe me ruajtjen e tyre” tha zoti Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës paralajmëroi edhe nisjen e një aksioni të ri të Bashkisë së Tiranës për t’i dhënë zgjidhje shqetësimeve të banorëve për ndotjet akustike dhe tymrat që lëshojnë një pjesë e lokaleve. “Këtë vit do të bëjmë një kontroll të të gjitha sipërmarrjeve që ndodhen nëpër zona. Ka shumë qytetarë të shqetësuar nga shtimi i zgarave dhe zhurmave. Unë besoj se një qytet modern ka hapësira ku mund të ketë festë deri në të gdhirë, ku mund të ketë qofte e tym, por nuk janë hapësirat e lagjeve, ndaj kërkoj mirëkuptimin e gjithë bizneseve që deri tani kanë përdorur apartamente të lagjeve, se duhet të respektojnë rregullat e bashkisë dhe qytetit” tha zoti Veliaj.
Kryebashkiaku bëri të ditur se Bashkia e Tiranës është e angazhuar që brenda këtij viti, secili prej pallateve në Tiranë të ketë caktuar administratorin e vet, gje qe do të ndihmojë edhe në ruajtjen e pronës së përbashkët.