KRYEFAQJA » LAJME » Këndi i Lojrave për fëmijë, mes ndërtimit dhe protestës
Këndi i Lojrave për fëmijë, mes ndërtimit dhe protestës

Këndi i Lojrave për fëmijë, mes ndërtimit dhe protestës

Ndërtimi i Këndi i Lojrave për Fëmijë në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, po kthehet në një përplasje mes kreut të Bashkisë Erion Veliaj dhe disa përfaqësuesve të shoqërisë civile. Të dielën. këta të fundit të paisur me kazma e lopata fare të reja, u grumbulluan në një nga pikat qëndrore të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Nën sloganin “Mbro Parkun e Liqenit, të mbjellim pemë në vend të betonit!” ata ju drejtuan kodrave të parkut për të mbjellë fidana, sipas tyre në vendet ku ishte derdhur beton. “Kërkojmë të rishikohet projekti të mos shkelin ligjin, të mos fusin beton brenda parkut e të bëhen më transparent” tha Elian Tanini një nga udhëheqësit e këtij aksioni të shoqërisë civile.
Por nga ana e tij kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj po tergon vendosmërinë e tij për ta ndërtuar Këndin e Lojrave për Femijë. Zoti Veliaj ishte atje mes fëmijëve në një aktivitet të organizuar nga Bashkia. “Unë i mirëkuptoj të gjithë aktivistët e shoqërisë civile. Nuk janë vandalët politikë, ata janë burim i klimës së dyshimit” tha kreu i Bashkisë. “Oferta jonë është shumë e qartë nëse ka dyshim jam gati të lidhin kontratë të mbikqyrjes. Më 1 qershor ditën e fëmijëve ku ne do të hapim këndin e lojrave të verifikojnë nëse janë të gjitha pemët” shtoi më tej ai. “E mirëkuptoj paranojën e tyre, por keni zgjedhur betejën e gabuar me fëmijët” tha me keqardhje, por edhe ironi zoti Veliaj.