KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Këngët ruse të ansamblit Vertograd në Tiranë

Këngët ruse të ansamblit Vertograd në Tiranë

Tingujt dhe entuziasmi rus përmes këngëve më të famshme u përcollën dje në mbrëmje nga ansambli muzikor “Vertograd” në Tiranë. Këngët më të preferuara ruse si “Katjusha”, “Ochi chernye”, “Mbrëmjet e Moskës”, “Kalinka”, por edhe shumë të tjera, u interpretuan me shumë emocion dhe talent  për kryeqytetasit. Publiku pjesëmarrës ishte nga 20-vjeçarët e deri tek nostalgjikët e muzikës ruse të cilët u përfshine në ritmet e muzikës dhe shpirtit rus.

“Vertograd” është ansambli i muzikës popullore me instrumentistë dhe këngëtarë, i krijuar në vitin 2005, dhe ka për synim ruajtjen dhe promovimin e traditave të muzikës së mirëfilltë ruse. Përfaqësuesi i Federatës Ruse, Dimitri Kazmin, tha se kjo shfaqje , vjen si një dhuratë për publikun shqiptar. “ Ne e dimë se sa e duan shqiptarët muzikën ruse dhe se sa mirë i njohin këngët ruse”- u shpreh ai para publikut.

Në skenën e Qendrës Kulturore pranë Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, u ngjitën këngëtarët Anna Zborovskaja dhe Gennadi Kosinov të shoqëruar nga Juri Stupak, me të famshmen balalajka (vegël muzikore popullore ruse),  në kitarë Aleksej Stepanov dhe në fizarmonikë Pjotr Matroniçev. Ky grup, që vjen për herë të parë në Shqipëri, interpretoi këngët më të dashura dhe të dëgjuara nga shqiptarët.