KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kerri bisedime në Gjenevë për Sirinë

Kerri bisedime në Gjenevë për Sirinë

Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerri, filloi të hënën ditën e dytë të bisedimeve në Gjenevë për gjetjen e një mënyre për të rikuperuar të paktën një armëpushim të pjesshëm në Siri, pas vijimit të sulmeve ajrore ndaj Alepos. Kerri u takua të hënën me ministrin e jashtëm të Arabisë Saudite Al-Jubeir, dhe do të takohet më vonë me të dërguarin e OKB-së për Sirinë dë Mistura. Gjatë takimit me Al Jubeir, Sekretari Kerri u shpreh se është bërë progres drejt një kuptimi sesi duhet reduktuar dhuna në Alepo, por nevojitej më shumë punë. Ndërsa ministri i jashtëm saudit, e quajti situatën në Alepo, si mizori dhe shkelje kriminale të ligjit humanitar. Ai u shpreh se presidenti sirian Asad duhet të konsiderohet përgjegjës për sulmet, dhe të rrezohet nga pushteti përmes një procesi politik ose me forcë.
Takimet e Kerrit në Gjenevë vijnë një ditë pasi ushtria siriane vendosi një armëpushim 24 orësh përreth kryeqytetit sirian dhe vendosi qetësinë në pjesën më të madhe të vendit, përveç Alepo, i cili është bërë një fushë beteje e luftës civile. Gjatë nëntë ditëve të fundit, të paktën 250 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore dhe bombardimet mbi Alepon.