KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kerri dhe Lavrov flasin për Sirinë
Kerri dhe Lavrov flasin për Sirinë

Kerri dhe Lavrov flasin për Sirinë

Uashingtoni ka paralajmëruar Rusinë se udhëheqësi sirian, Bashar al-Asad, nuk ka rol në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, i tha homologut rus, Sergei Lavrov gjatë një bisede telefonike, se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar qëndrimin se presidenti sirian duhet të japë dorëheqje, në mënyrë që palët tjera të arrijnë një zgjidhje politike që do t’i jepte fund luftës civile katërvjeçare. Thirrja e Kerryt erdhi pak orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia do të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Asadin dhe i ka bërë thirrje pjesës tjetër të botës që t’i bashkohet Qeverisë së presidentit sirian në një koalicion për mposhtjen e të ashtuquajturit Shtet Islamik. Putini u shpreh se është gati të takohet me presidentin amerikan Obama më vone gjatë këtij muaji, kur të qëndrojë në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se.