KRYEFAQJA » LAJME » Kerri nis vizitën në Tiranë
Kerri nis vizitën në Tiranë

Kerri nis vizitën në Tiranë

( E përditësuar) Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri, nisi rreth orës 10 vizitën e tij në Shqipëri. Avioni i tij zbriti në aeroportin “Nënë Tereza” me afro një orë vonesë nga sa ishte parashikuar. Zoti Kerri u prit nga presidenti Bujar Nishani, me të cilin ka biseduar për disa minuta në pistën aeropotit.
Sipas zyrës së shtypit të zotit Nishani, presidenti i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit. Ai i ka shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike. Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin. Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.
Më pas zoti Kerri udhëtoi nën masat e forta të sgurisë drejt Tiranës për tu takuar në selinë e kryeministrisë me shefine e diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati dhe më pas me kryeministrin Edi Rama. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe disa anëtarë të  rëndësishëm të kabinetit.  Zoti Rama dhe zoti Kerry parashikohet të japin një deklaratë të përbashkët për shtyp. Ndërsa më vonë në hotel Rogner zoti Kerri do të takojë kreun e opozitës Lulzim Basha.