KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kerri takohet me Lavrov për Sirinë

Kerri takohet me Lavrov për Sirinë

Zgjidhja e situatës në Siri ka mbledhur sërish sekretarin amerikan të shtetit Xhon Kerri dhe homologun e tij rus Sergei Lavrov, për t’i dhënë një tjetër nxitje rifillimit të bisedimeve për paqe në vendin e përçarë nga lufta civile që vijon prej më shumë se pesë vitesh. Dy kryediplomatët u takuan në një hotel luksoz në breg të liqenit të Gjenevës, duke u fokusuar në luftën shkatërruese në Siri. Ditën e enjte, i dërguari i Veçante i OKB-së, Stefan de Mistura e përshkoi takimin si të rëndësishëm pasi, sipas tij, ky takim do të ndihmonte në rifillimin e negociatave për paqen. Raunde të mëparshme negociatash ndërkombëtare kanë dështuar në dhënien fund të konfliktit që u ka marrë jetën më shumë se 290 mijë personave dhe ka detyruar miliona të tjerë të largohen nga vendi i tyre Takimi i së premtes mes Kerri-t dhe Lavrov u zhvillua pasi konflikti sirian u komplikua më tej nga vendimi i Ankarasë për të dërguar tanke në Siri. Luftëtarë rebelë të mbështetur nga Turqia kanë marrë nën kontroll qytetin kufitar Jarabulus në Siri, i cili më parë kontrollohej nga shteti islamik. Por në të njëjtën kohë, forcat turke bombarduan milicinë siriane kurde të mbështetur nga Amerika. Avionët rusë gjithashtu kanë kryer sulme ajrore ndaj grupeve rebele, disa prej të cilave mbështeten nga Shtetet e Bashkuara. Por SHBA-të dhe Rusia kanë një armik të përbashkët: shtetin islamik. Autoritetet e të dy vendeve kanë qenë vazhdimisht në kontakt për të vendosur bashkëpunim ushtarak kundër xhihadistëve. Si shenjë e një bashkëpunimi të intesifikuar: Moska u zotua dje se do të punonte me Shtetet e Bashkuara për t’iu adresuar çështjes së sulmeve kimike ndaj popullsisë siriane për të cilat një hetim i OKB-së nxorri në pah se ishin ndërmarrë nga regjimi i Al-Asad, si dhe nga militantët e Shtetit Islamik.