KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kerry: Në gusht mund të arrijmë me Moskën marrëveshjen për Sirinë
kerrylavrov

Kerry: Në gusht mund të arrijmë me Moskën marrëveshjen për Sirinë

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka thënë se shpreson që në fillim të gushtit të njoftojë për detajet e planit amerikan për bashkëpunim të afërt ushtarak dhe ndarje të informacioneve sekrete me Rusinë për situatën në Siri. Kerry i ka bërë këto komente pas takimit me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov në margjinat e samitit të shteteve të Azisë juglindore në Laos. Propozimi përmban ndarjen e informacioneve sekrete në mes të Uashingtonit dhe Moskës në lidhje me sulmet ajrore kundër Frontit Al Nusra dhe ndalimin e forcave ajrore siriane që të sulmojë grupet e moderuara rebele. Kerry iu ka thënë gazetarëve se ka pasur progres gjatë ditëve të fundit në këtë aspekt. “Unë shpresoj që në fillim të gushtit të jem në pozitë të qëndroj para jush dhe t’iu tregoj atë çfarë mund ta bëjmë me shpresën se do të ndryshojmë jetën e popullit në Siri dhe kahjen e luftës”, ka thënë Kerry gjatë konferencës me gazetarë në kryeqytetin Vientiane. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov më herët ka thënë se ai ka diskutuar me Kerrin hapat për identifikimin e ndarjes së grupeve në Siri mes të atyre që janë terroristë dhe opozitarë. “Marrëveshjet e arritura gjatë takimit të fundit me Sekretarin amerikan të Shtetit në Moskë janë diksutuar gjatë kontakteve të fundit të ekspertëve tanë. Nëse implementohet marrëveshja, ne shpresojmë që do të jemi në gjendje të bëjmë ndarjen mes forcave opozitare dhe terroristëve të Shtetit Islamik dhe Frontin al Nusra”, ka thënë Lavrov.