KRYEFAQJA » LAJME » Këshilli i BE-së i 12 dhjetorit, vlerësime pozitive, por jo çelje negociatash për Shqipërinë
Samiti i 11 dhjetorit, vlerësime pozitive, por jo çelje negociatash për Shqipërinë

Këshilli i BE-së i 12 dhjetorit, vlerësime pozitive, por jo çelje negociatash për Shqipërinë

Siç pritej në Bruksel, Këshilli i Ministrave të BE-së për çështje të përgjithshme nuk parashikon të jap dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kjo vërehet edhe në gjuhën e përdorur prej presidencës sllovake në hartimin e draft-konkluzioneve me 9 pika për Shqipërinë, të siguara nga RTSH, pasi nuk “mirëpritet” rekomandimi i Komisionit, por vetëm mbahet “shënim pozitivisht”. Megjithatë, egzekutivi europian ftohet të raportojë tek vendet anëtare mbi progresin e Shqipërisë, jashtë paketës së zgjerimit, çfarë lë të hapur mundësinë për rishqyrtim gjatë vitit të ardhshëm.
“Këshilli mban në mënyrë pozitive shënim rekomandimin e Komisionit për Hapjen e negociatave me Shqipërinë, subjekt i progresit të prekshëm e të besueshëm tek zbatimi i Reformës në Drejtësi, në veçanti për rivlerësimin e gjyqëtarëve dhe prokurorëve. Duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme të Këshillit, përfshirë ato të Dhjetorit 2015, Këshilli thekson se një zbatim i plotë, gjithëpërfshirës e i qëndrueshëm për të 5 prioritetet kyçe duhet të garantohet përpara hapjes së negociatave. Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë, në shtesë të paketës së zgjerimit, dhe do t’i kthehet Shqipërisë kur të jetë kryer progresi i mjaftueshëm” bëhet e ditur në draft-konkluzione.
Pika e parë e draft-konkluzioneve të Këshillit të BE-së “mirëpret hapat madhore të Shqipërisë” me votimin unanim të ndryshimeve kushtetuese për nisjen e procesit të reformës në drejtësi, si dhe “progresin e qëndrueshëm në 5 prioritetet kyçe”.
Më tej, dokumenti përsërit rëndësinë e kësaj reforme, që synon “rritjen e profesionalizmit, pavarësisë dhe efiçensës në sistemin gjyqësor” edhe për “sundimin e ligjit dhe transformimin në fushat e tjera”. Këshilli i BE-së mirëpret “tendencën pozitive drejt krijimit të gjurmëve të provave solide për hetime proaktive, ndjekje e dënime përfundimtare në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit ë organizuar dhe nënvizon rëndësinë për Shqipërinë për të arritur rezultate të prekshme e të qëndrueshme”. Në këtë kuadër, BE fton Komisionin të shtojë angazhimin teknik ndaj vendit për sundimin e ligjit.
“Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në këto fusha dhe të sigurojë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit arrihen edhe në nivel të lartë, sikundër duhen siguruar në mënyrë progresive edhe rezultate më efektive për shkatërrimin e rrjeteve të organizatave kriminale, si dhe trajtimin e prodhimit dhe trafikut te drogës. Niveli shumë i ulët i dënimeve për shkelje të krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe trafikut të njerëzve, mbeten çështje për t’u trajtuar me masa të synuara, përfshirë forcimin e bashkëpunimit polici-prokurori dhe hetimet e duhura financiara. Këshilli vëren progres në luftën ndaj radikalizimit, ekstremizmit e terrorizmit dhe inkurajon për vazhdimin e përpjekjeve. Për të mbështetur zbatimin e reformës në drejtësi, Komisioni ftohet të intensifikojë angazhimin teknik me Shqipërinë në fushën e sundimit të ligjit” vërehet në draft-konkluzione.
Këshilli i BE-së “lavdëron miratimin unanim” të ligjit të ashtuquajtur për “dekriminalizimin”, zbatimi i të cilit konsiderohet “kyç për forcimin e besimit të qytetarëve tek përfaqësuesit politik dhe institucionet publike”.
Vendi inkurajohet të vijojë reformat ekonomike e fiskale, sikunder përfundimi në kohë i reformës elektorale, përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
“Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm e konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat që lidhen me BE, mbetet thelbësor për avancimin me agjendën e reformave për të mirën e qytetarëve dhe për afrimin e vendit në BE. Kjo do të jetë me rëndësi të veçantë edhe për finalizimin e reformës elektorale, duke trajtuar rekomandimet e njohura të OSBE-ODIHR, mjaft përpara raundit të ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare, për të garantuar mbajtjen e tyre në përputhje me standartet përkatëse ndërkombëtare.” këshillon draft-rezoluta.
Vendit i bëhet thirrje për të trajtuar boshllëqet e nevojshme ligjore për zbatimin eficent të të drejtës së pronës dhe për trajtimin e njëjtë të të gjitha minoriteteve. Pasi vlerësohet, si zakonisht, “angazhimi konstruktiv i Shqipërisë” për bashkëpunimin rajonal, Këshilli i BE-së kujton se “duhen evituar veprimet dhe deklaratat me impakt të mundshëm negativ për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”. (Materiali është përgatitur nga Arta Tozaj)