KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Këshilli norvegjez i refugjatëve: 4 mijë banorë janë larguar nga Falluxha

Këshilli norvegjez i refugjatëve: 4 mijë banorë janë larguar nga Falluxha

Rreth 4 mijë persona janë larguar nga qyteti Falluxha, që është nën kontrollin e militantëve të Shtetit Islamik, pasi forcat qeveritare kanë hapur korridorin, meqë kanë marrë rrugën kryesore për në kryeqytetin Bagdad. Këshilli norvegjez i refugjatëve, që punon me irakianët e zhvendosur brenda Irakut, tha sot se prej fundit të muajit maj, kur ka filluar ofensiva e ushtrisë irakiane për marrjen e kontrollit në Falluxha, nga ky qytet janë larguar gjithsej 27,580 civilë. Ky këshill vlerëson se të paktën 50 mijë civilë janë ende të bllokuar brenda Falluxhës, që është nën kontroll të grupit ekstremist, Shteti Islamik, për më tepër se dy vjet. Kombet e Bashkuara thonë se në Falluxha mund të jenë më tepër se 90 mijë civilë, ndërsa ka mungesa ushqimi dhe uji. Këshilli norvegjez për refugjatë ka raportuar se militantët e Shtetit Islamik kanë kërkuar pagesa prej 130 dollarësh amerikanë për një person, për t’i lejuar që të largohen nga qyteti, që është 50 kilometra larg Bagdadit.