KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kisha Katolike në trevat shqiptare

Kisha Katolike në trevat shqiptare

Nëse merr përsipër të gjurmosh shenja të identitetit kombëtar nuk mund, dhe as duhet të anashkalosh dokumente dhe dëshmi të komuniteteve katolike në trevat shqiptare. Pikërisht mbi këtë është thelluar edhe meshtari Dom Nike Ukgjini në botimin e veprës studimore “Kisha Katolike në trevat Shqiptare” nga shekulli i 11 e deri më sot. Autori sipas historianëve ka dalë nga veshja mështarake për të sjellë tek lexuesi një vepër e cila hedh dritë mbi një periudhë të gjatë të lënë në hije, por që fsheh dëshmi të rralla jo vetëm mbi organizimin e kishave katolike por edhe të rregullimit shoqëror dhe kombëtar që ato vendosnin, e deri te përpjekja për ta asgjësuar besimin katolik gjatë regjimit komunist që nis me eleminimet fizike të klerit dhe shembjes së kishave e kulmon me shpalljen si shteti ateist i vetëm në botë. Sipas historianëve që ishin të pranishëm në promovimin e këtij libri studimor në Muzeun Kombetar, një vend qëndror zënë marrëdhëniet problematike të kishës katolike me shtetin si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni ku ka pasur historikisht komunitete e struktura katolike shqiptare.