KRYEFAQJA » LAJME » KLD shkarkon nga detyra kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës
KLD shkarkon nga detyra kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës

KLD shkarkon nga detyra kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka shkarkuar të premten nga detyra kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi, pasi emisioni investigativ “Stop” në TV Klan, publikoi të enjten një aferë ku ai i kërkonte aferë dashurie një gruaje në këmbim të një vendimi në favor të saj. 14 anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e morën këtë vendim me unanimitet të plotë pas një mbledhje të jashtëzakonshme dhe me kërkesë të ministrit të drejtësisë Ylli Manjani. “Ngjarja e gjyqtarit është e rëndë, e turpshme dhe e papranueshme. Aq më tepër për një gjyqtar apo kryetar gjykate” u shpreh ministri i drejtësisë Manjani. Vendimi i KLD, pritet ti hap rrugë hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në lidhje me këtë çështje. Sipas disa mediave gjykatësi Boçi ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin, duke deklaruar se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë dhe se  do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Disa media shënojnë faktin se publikimi i skandalit u bë gati në të njëjtën orë kur familja Boçi po celebronte martesën e vajzës.  Ndërsa të tjera hedhin hije dyshimi për një ngjarje të provokuar dhe të përdorur si mjet presioni. Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh që një gjykatës shqiptar përfshihet në ngjarje të tilla. Më parë ishte një gjyqtar i Gjykatës së Beratit i cili i kishte drejtuar mesazhe presioni një qytetareje në këmbim të një afere dashurie.