KRYEFAQJA » LAJME » KLD u kërkon gjyqtarëve formularin e vetëdeklarimit
KLD u kërkon gjyqtarëve formularin e vetëdeklarimit

KLD u kërkon gjyqtarëve formularin e vetëdeklarimit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë u ka drejtuar një thirrje gjyqtarëve, që të depozitojnë personalisht pranë këtij institucioni, formularin e vetëdeklarimit. Sipas njoftimit bëhet fjale për “gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqsore, gjykatave të shkallave të para administrative, gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda, gjykatave të apeleve, gjykatës administrative e apelit, gjykatës së apelit për krimet e rënda”. Nuk përfshihen në këtë listë Gjyqatrët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Sipas njoftimit afati i dorëzimit ka nisur nga data 29 mars dhe përfundon më 4 maj të këtij viti.
Formulari i vetedeklarimit është pjese përpjekjeve të autoriteteve shqiptare për të luftuar nivelin e lartë të korrupsionit në vend. Gjyqësori shqiptar është nga segmentet më të përfolura të drejtësisë shqiptare për përfshirje në afera korruptive. Qeveria aktuale e kryeministrit socialist Edi Rama e shikon atë si një nga pengesat më të mëdha në zhvillimin e vendit, por edhe proceset e integrimit. Gjithnjë e më dendur zyrtarët e lartë socialistë janë shprehur se qytetarët shqiptarë ndjehen të kërcënuar nga gjyqtarët që marrin vendime haptazi në favor të shkelësve të ligjit. Akuza të tilla janë hedhur poshtë nga shoqatat e gjyqtarëve, por maxhoranca e majtë paralajmëron furtunë në gjykatat shqiptare gjatë zabtimit të Reformës në Drejtësi, miratimi i së cilës është në hapat e fundit.