KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Klinton dhe Kaine, bashkë në fushatë
clintonkaine_072016getty

Klinton dhe Kaine, bashkë në fushatë

Kandidatja për president e Partisë Demokratike amerikane, Hillary Clinton edhe formalisht ka prezantuar bashkëgaruesin e saj në këto zgjedhje, senatorin, Tim Kaine. Gjatë një mitingu në Miami më 23 korrik, Clinton lavdëroi Kaine si antitezë e rivalit të saj republican, Donald Trump. “Senatori Tim Kaine është gjithcka që Donald Trump dhe Mike Pence nuk janë”, ka thënë Clinton. Clinton e ka nënvizuar gjatë fjalimit “përkushtimin jetësor ndaj drejtësisë sociale” të Kaine, por edhe sukseset e tij si avokat për të drejta të njeriut dhe kohën e kaluar si misionarë në Amerikën Qëndrore. Kaine doli në foltore më pas, ndërsa masën e tubuar e përshendeti në gjuhën spanjolle për të cilën mori shumë duartrokitje. Ai e përshkroi veten dhe Clinton si “miq të përbetuar” për të luftuar dhe mundur Trump. Kaine është ish-guvernator i Virginias, një shtet ky që mund të luajë rol të rëndësishëm në zgjedhjet e nëntorit. Kaine, 58-vjeçar, flet rrjedhshëm spanjisht ndërsa në Senat është aktiv në temat që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe ushtrinë.