KRYEFAQJA » LAJME » Klosi renditet krah emrash si Frashëri ose Faik Konica
Klosi renditet krah emrash si Frashëri ose Faik Konica

Klosi renditet krah emrash si Frashëri ose Faik Konica

Në një aktivitet të veçantë përkujtimor, mbrëmjen e të premtes në COD (Qendra për Hapje e Dialog në Kryeministri) , u promovua libri “Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria”, i përgatitur nga historiani dhe miku i tij, Oliver Jens Schmitt, si dhe u shpallën çmimet “Ardian Klosi”, për publicistikën më të mirë të vitit 2015.
I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Edi Rama njëherësh mik i ngushtë i publicistit dhe përkthyesit, e vlerësoi Klosin si figurën më të spikatur të publicistikës dhe shoqërisë intelektuale shqiptare.
“I përkiste një lloj shkolle që nuk e pranonte intelektualin si koncept jashtë angazhimit. Për Ardianin, intelektuali ishte ai që rron me të vërtetën”, tha Rama. Rama tha se Klosi ishte një nga zërat e paktë autentike të Shqipërisë dhe se ndarja nga jeta, ishte një fatkeqësi për kulturën shqiptare.
“Ndarja e tij nga jeta është fatkeqësi për kulturën shqiptare ndërsa gjykimi për të është ai i një njeriu të madh”, tha Rama. Duke foluar për bisedat mes tyre, Rama solli në vëmëndje të audiencës, Klosin si një aktivist i flaktë i shoqërisë civile, që nisi të mbledhë firmat për të mos lejuar prishjen e Piramidës. “Përkthimi ishte mundësi për të bashkëjetuar në një shoqëri me të tjerë që i zgjidhte vetë, komunikonte me ta ishte një lloj rruge në arrati, ashtu sikurse ishte një lloj flirti me të vdekurit. Vdekja ishte një fuqi që tek Ardiani vepronte në mënyrë të pavetëdijshme, e kishte me vete, nuk e shmangte atë. Në flirt me të vdekurit që i zgjidhte vetë trazimi i tij rritej, mendja e mprehtë që kishte ia rëndonte trazimin”, -tha Rama.
Ndërsa autori i librit Oliver Jens Schmitt tha se “në një vështrim retrospektiv pas disa dekadave, Ardian Klosi renditet krah emrash si Frashëri ose Faik Konica, si një prej zërave të paktë autentikë të Shqipërisë dhe njerëzve të saj në kapërcyell të shekullit XX”. “Ardian, miqtë e tu nuk të harrojnë, ndaj le të jetë ky libër një shembull në këtë drejtim”, -tha ai. Botimi përfshin artikuj e shkrime nga 16 miqtë e tij, njerëz të letrave, gazetarë dhe poetë, albanologë me të cilët ai bashkëpunonte dhe ruajnë kujtime të pashlyeshme nga ky personalitet.
Libri e ka prejardhjen në traditën akademike të vëllimeve përkujtimore dhe nuk synon vetëm të ndriçojë disa aspekte historike dhe kulturore të Shqipërisë, por edhe të vlerësojë një ndër fushat e shumta të veprimtarisë së Ardian Klosit: punën e tij si ndërlidhës mes gjuhëve dhe kulturave shqiptare e gjermane. Me këtë synim janë mbledhur shkrime nga njerëz që e shohin si detyrim personal këmbimin midis botës shqiptare dhe vendeve gjermanishtfolëse; intelektualë dhe shkencëtarë njëherazi – ku kufijtë përzihen – sikurse në veprimtarinë e Ardian Klosit që përmban studime, prozë eseistike dhe përkthime.

(Marrë nga ATSH)