KRYEFAQJA » LAJME » Klosi: Strategjia e mbrojtjes sociale synon krijimin e një familjeje të shëndshë

Klosi: Strategjia e mbrojtjes sociale synon krijimin e një familjeje të shëndshë

Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka prezantuar strategjinë e re të mbrojtjes sociale. Sipas ministrit Blendi Klosi synimi i kësaj strategjie është “Një familje e shëndoshë dhe e bashkuar është aleati më i madh dhe më i fortë i shtetit social që ne duam të ndërtojmë”. Sipas tij politika e zgjedhur nga qeveria e majtë e ardhur në pushtet në vitin 2013, kishte një parim të vetëm “që ndihma ekonomike të mos ishte vullnet politik i të zgjedhurve apo e të bëheshin votuesit rob të ndihmës ekonomike për të dhënë votën”. Reforma e ndihmës ekonomike e cila po gjen implementimin e saj në të gjithë Shqipërinë, synon të shkojë aty ku i varfri jeton. Ministri bëri të ditur se qeveria hoqi ndihmën e pjesshme, një ndihmë e dhënë për shumë pak njerëz dhe vendosi dhënien e ndihmës së plotë. Pas këtyre masave “Kemi këtë vit, 5 herë më shumë nxitje punësimi se sa dy vite më parë për familjet në nevojë”, tha Klosi. Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, bashkia më e madhe në vend, u bëri thirrje donatorëve që vëmendjen të shtrijnë edhe në bashkitë e tjera, të cilat kanë shumë vështirësi për të krijuar një jetë me shërbime sociale. “Shumë ide që kishin filluar tre vite më parë po gjejnë zgjidhje edhe në bashkinë e Tiranës. Por përveç Tiranës do të doja t’ju bëja thirrje të shikonit përtej Tiranës. Ka shumë kryetarë bashkie në rrethe që e kanë të vështirë, prandaj doja që shumë prej donatorëve të shikonin në bashkitë e tjera”, tha zoti Veliaj.