KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Klosi : Synojmë mbrojtjen e shtresës së mesme
Klosi : Synojmë mbrojtjen e shtresës së mesme

Klosi : Synojmë mbrojtjen e shtresës së mesme

Në Shqipëri qeveria thotë se mbrojtja e interesave të shtresës së mesme është një ndër hapat kryesorë në zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri. Deklarata është bërë nga Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi në konferencën e Qëndrës Ndërkombëtare të Punësimit. Sipas zotit Klosi “Shqipëria nuk do të ketë progres nëse nuk do të harmonizohen interesa të ndryshme të shoqërisë, duke njohur të shkruarën dhe kontribuar për të ardhmen”. “Qeveria ka përcaktuar qartë dy drejtime për të krjuar qëndrushmëri duke nisur nga politikat e punësimit dhe arsimit profesional” tha zoti Klosi.
Opozita e djathtë shqiptare vazhdimisht e ka akuzuar qeverinë e majtë të kryeministrit Rama se me politikat e saj ekonomike, veçanërisht heqjen e taksës së sheshtë dhe aplikimin e tatimit progresiv, ka goditur shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë shqiptare. Por nga ana e saj qeveria thotë se ka ndodhur e kundërta.
Në fund të vitit të kaluar një nga bankat më të mëdha botërore, Credit Suisse, publikoi raportin vjetor mbi ndarjen e pasurisë në botë, ku jepeshin të dhëna edhe për Shqipërinë. Sipas këtij raporti, më shumë se një e katërta e popullsisë së rritur rezidente në Shqipëri, saktësisht 25.4 përqind, zotëronin nga 10.000 deri në 100.000 dollarë pasuri. Sipas studimit fjala është për para kesh dhe pasuri të tjera, si prona të patundshme, shtëpi apo makina. Raporti i Credit Suisse llogarit ndërkaq se 74.1 përqind e popullsisë së rritur shqiptare ka më pak se 10.000 dollarë pasuri, ndërsa vetëm 0.5 përqind e popullsisë gëzojnë një pasuri nga 100.000 deri në një milion dollarë. Nga ana tjetër, raporti e vlerëson Shqipërinë si një vend që ende nuk ka mundur të dalë nga kthetrat e varfërisë, me të ardhura të ulëta të mesme, me një pasuri totale të banorëve të saj të rritur prej 20 miliardë dollarësh, ndërsa një vit më parë kjo shifër kishte qenë 23 miliardë.